Tjetër gjysmëfinale mes Trepçës e Prishtinës

Trepça e Prishtina takohen në tjetër gjysmëfinale të rëndësishme. Pasi u përballën në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, dy skuadrat me traditë takohen edhe në gjysmëfinale të garave të plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll.
Ndeshja e parë luhet të mërkurën prej orës 19:00 në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.
Trepça e Prishtina kanë luajtur ndeshje të forta dhe interesante gjatë gjithë edicionit. Kështu ishte edhe të shtunën në Prishtinë dhe njëjtë pritet të jetë edhe të mërkurën mbrëma në Mitrovicë.
Trepça e ka përfunduar kampionatin e rregullt në pozitën e dytë dhe do ta ketë përparësinë e terrenit në ndeshjen e tretë eventuale. Prishtina në kampionatin e rregullt përfundoi e treta.
Skuadra mitrovicase të dielën e fitoi Kupën e Kosovës, për herë të parë pas 21 vjetësh. “Xehetarët” do të mundohen të përfitojnë nga momenti pozitiv, por Prishtina udhëton me plane tjera për në Mitrovicë.

Lajme tjera