Trepça është mbajtur në lojë deri në pesë minutat e fundit të takimit ndaj skuadrës izraelite, Holon Yuvalim. Por mitrovicasit në fund megjithatë kanë humbur me rezultat më të lartë se që realisht e kanë merituar.
Holoni të shtunën mbrëma në “Minatori” fitoi me 29:22. Shkëputja e madhe e izraelitëve në rezultat është bërë në pesë minutat e fundit të takimit. Deri në fazën e vonshme të ndeshjes, Trepça ishte në lojë. Në fakt izraelitët kishin epërsi prej një e dy gola, por pa mundur të shkëputen.
Mitrovicasit e nisën ndeshjen keq. Pas epërsisë 1:0, Holoni hyri në epërsi dhe krijoi epërsi prej 7:1. Por Trepça nuk u dorëzua dhe me luftë maksimale për çdo top, u kthye në lojë. Pas pjesës së parë rezultati ishte 14:12 për Holonin.
Lojë e ngjajshme, me shumë angazhim dhe me shumë duele, ishte edhe në pjesën e dytë. Por në fund mitrovicasit sikur mbetën pa forcë dhe pësuan me shtatë gola.
Më efikasi te Trepça ishte pivoti Sali Maxhera, që i realizoi 9 gola nga 11 tentime. Ai në fakt humbi dy penallti, ndërsa nga loja nuk kishte goditje të pasuksesshme. 5 gola nga 6 tentime i kishte Fitim Klinaku, që po ashtu u shqua. Lojë të mirë kishte edhe Vlerson Zherka që shënoi 3 gola nga 6 tentime. Është dalluar portieri Meriton Lladrovci me plot 12 pritje. Por të gjithë lojtarët kanë dhënë maksimumin, ndërsa drejtuesit e klubit mitrovicas u ndanë të kënaqur me paraqitjen dhe sidomos me angazhimin.
Ndeshja e dytë e raundit të parë të Kupës Evropiane luhet të dielën nga ora 13:00 po në “Minatori” të Mitrovicës.