Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Universitaret humbin ndeshjen e parë

Ekipi i hendbollisteve të Universitetit të Prishtinës e ka humbur ndeshjen e parë në Kupën Botërore Universitare që të hënën nisi në Prishtinë. Në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në kryeqytet, hendbollistet tona u takuan me hendbollistet e Universitetit “Castilla – La Mancha” nga Spanja.

Spanjollet kanë fituar me rezultat të lartë, 32:23. Dallimi është bërë në pjesën e dytë, pasi pjesa e parë përfundoi 15:12 në të mirë të ekipit spanjoll. Në pjesën e dytë lojtaret e universitetit spanjoll me lojë të shpejtë, e kryesisht me kundërsulme, krijuan epërsi bindëse që e mbajtën deri në fund. Ndërkohë në lojën e ekipit të Universitetit të Prishtinës kanë funksionuar pak gjëra, përkundër angazhimit. Ka pasur telashe në sulm, e sidomos në mbrojtje.

Elisa Mulaj ishte më efikasja me 7 gola. 5 i realizoi Yllka Shatri, ndërsa 4 i kishte Melisa Mulaj. 3 gola i shënoi Alma Nivokazi. Të martën prej orës 16:00 ekipi i Universitetit të Prishtinës e ka një tjetër ndeshje të vështirë. Takohet me “University North” të Kroacisë.