Ngadalë po ndahemi me vitin 2018, një vit ky për t’u shënuar për Federatën e Hendbollit të Kosovës dhe për komunitetin e hendbollit në përgjithësi. Ishte një vit i suksesshëm që po i lë vend një viti që presim e besojmë se do të jetë edhe më i suksesshëm për sportin tonë.
U arritën suksese ndërkombëtare, sidomos me kombëtaret e kategorive të reja, që kulmuan me vendet e para në garën IHF Trophy për Evropë, që në mënyrë shembullore u organizua nga ne. Suksesi i kombëtares U20 të hendbollistëve, por edhe i kombëtares U18, është garancë që e ardhmja është e ndritur. Sukseset e ndeshjet e mëdha nuk munguan as nga kombëtaret seniore e poashtu nga klubet në kupa evropiane. Ka pasur edhe shumë suksese tjera gjatë vitit që po e lëmë pas, por natyrisht ka pasur edhe sfida. Sfida do të ketë edhe në vitin tjetër dhe me angazhim të përbashkët, me kontributin e të gjithë njerëzve të hendbollit, do të kalohen me sukses. Së fundi e shënuam edhe 65-vjetorin e Federatës së Hendbollit të Kosovës, duke përgatitur edhe një film dokumentar për rrugëtimin e deritashëm.
Në vitin 2019 na presin gara edhe më të rëndësishme ndërkombëtare. Kombëtaret U20 e U18 e kanë fazën interkontinentale të IHF Trophy me shpresë që 20-vjeçarët do të arrijnë edhe në botërorin e juniorëve. Ndeshje të rëndësishme i presin edhe kombëtaret A te meshkujt e femrat, ndërsa sfida të rëndësishme do të kenë edhe kombëtaret e hendbollisteve të reja, U19 e U17.
Klubet në të dy konkurrencat po zhvillojnë garë të fortë e korrekte për titull, ndërsa edhe në skenën evropiane besohet se do të vazhdohet me përparim.
Të gjitha të arriturat e deritashme dhe rezultatet që i presim në vazhdim, do të ishin të pamundura pa kontributin e jashtëzakonshëm të njerëzve të hendbollit. Prandaj një falenderim për të gjithë ata që kontribojnë për sportin tonë, drejtuesit e klubeve, sponzorët, trajnerët, personat zyrtar, tifozët e mbi të gjitha për hendbollistët dhe hendbollistet. I falenderojmë për bashkëpunimin në një vit të suksesshëm dhe i urojmë për një vit të ri edhe më të suksesshëm.
Gëzuar
Eugen Saraçini
President i FHK-së