Të nderuar hendbollistë e hendbolldashës, punëtor të hendbollit e anëtar të klubeve të sportit tonë magjik.
Po i afrohemi fundit të një viti që për Federatën e Hendbollit të Kosovës ishte historik. Të tillë e bëjnë sukseset që i kemi arritur së bashku gjatë 2019-tës. Jemi në fund të një viti që gjithashtu ishte sfidues për Federatën dhe sportin tonë, njëjtë si për të gjitha federatat dhe sportet tjera në vend. Për ne gjithsesi ishte një vit i veçantë. Kemi shkelur territore të reja, kemi vazhduar të shquhemi me seriozitet, angazhim e punë shembullore. Kemi marrë lëvdata të asociacioneve ndërkombëtare për organizimet që kemi bërë dhe kemi rritur ndjeshëm profilin e sportit tonë me sukseset që kemi arritur. Organizimi dhe suksesi në IHF Trophy Intercontinental, fitorja me Izraelin, barazimi me shije të fitores me Poloninë, paraqitja e denjë me Gjermaninë, organizimi i shkëlqyeshëm dhe ndeshjet superiore në finale të Kupës, pjesëmarrja në kampionate evropiane me vajza të reja, paraqitjet e mira të hendbollisteve në turneun në Turqi, janë disa prej aktiviteteve që për ne janë arsye e mburrjes.
Megjithatë, është pjesëmarrja në Kampionatin Botëror për juniorë në Spanjë që 2019-tën e bënë vit të jashtëzakonshëm. Për herë të parë një ekip kombëtar i Kosovës në të gjitha sportet, në të gjitha konkurrencat, garoi i barabartë me vendet tjera. Kështu i kemi ndihmuar shtetit për promovim në botë dhe i kemi bërë nder vetes dhe gjithë hendbollistëve e hendbolldashësve.
Kemi pasur edhe sfida, që kryesisht janë të lidhura me çështje financiare. Organizimi i klubeve mund dhe duhet të jetë më i mirë. Përkrahja për klubet duhet të jetë më e madhe se që ishte këtë vit, por edhe puna e njerëzve të hendbollit mund dhe duhet të rritet.
Kemi mësuar shumë gjatë këtij viti, të gjithë ne. Ndër të tjera kemi mësuar se me përkushtim maksimal, me punë të përgjegjshme dhe me angazhimin e të gjithëve, mund t’ia dalim. Mbi këto parime ne kemi funksionuar dhe vazhdojmë të funksionojmë.
Viti 2020 besojmë fuqishëm që do të jetë po ashtu i veçantë për federatën dhe sportin tonë. Na presin shumë sfida e angazhime. Besojmë fuqishëm në një situatë më të favorshme financiare, falë edhe implementimit të Ligjit për Sponsorisim.
Në vitin 2020 imperativ do të jetë hartimi i Strategjisë së zhvillimit të hendbollit.
Për të arritur synimin duhet të japim maksimumin, të gjithë ne bashkë. Kohë për vetëkënaqësi nuk ka. Sfida të rëndësishme na presin që në ditët e para të janarit. Kombëtarja A është në vlugun e përgatitjeve për paraqitje në kualifikimet për botëror, ku shpresojmë të bëjmë hapin e ardhshëm.
Duke iu falenderuar për kontributin që keni dhënë gjatë 2019-tës, ju uroj një vit tjetër me suksese e gëzime si në rrafshin personal ashtu edhe në atë sportiv, përkatësisht të hendbollit. Sukseset e deritashme le të shërbejnë si motiv për suksese tjera, edhe më të mëdha.
Me nderime
Eugen Saraçini,
President i Federatës së Hendbollit të Kosovës