Vardari fiton Ligën e Kampionëve

Vardari i Shkupit është fitues i Ligës së Kampionëve në hendboll për edicionin 2018/19. Në finale, Vardari e ka mposhtur skuadrën nga Hungaria, Telekom Veszprem me rezultat 27:24.

Ndeshja përfundimtare e FINAL4 të EHF Ligës së Kampionëve për hendbollistë është luajtur të dielen në Lanxess Arena në Kelln të Gjermanisë, në një atmosferë madhështore dhe në praninë e 19.250 shikuesve.

Për Vardarin është titulli i dytë në Ligën e Kampionëve pas atij të vitit 2017. Vardari është skuadër shumë e fuqishme financiarisht që ka në përbërje lojtarë prej më të mirëve në Evropë, nga shumë vende të ndryshme.

Vardari të shtunën në gjysmëfinale befasoi Barcelonën duke e mposhtur me rezultat 29:27 pas një përmbysje të madhe të rezultatit. Cilësinë e dëshmoi edhe të dielen në finale. Pas pjesës së parë në ndeshjen finale, skuadra nga Maqedonia e Veriut kishte epërsi prej pesë golash (16:11). Braziliani Rogerio Ferreira ishte më efikasi te Vardari me 6 gola, sa i shënoi edhe Kentin Mahe për Veszpremin.

Vendin e tretë e zuri Barcelona Lassa që fitoi ndaj PGE Vive Kielce me rezultat 40:35. Veszpremi për herë të katërt ka luajtur në finale, por asnjëherë nuk e ka fituar titullin.

Lajme tjera