Në praninë e një numri të madh të qytetarëve, të hënën pasdite është varrosur profesoresha Shqipe Bajçinca – Brestovci. Varrimi i të ndjerës është bërë në varrezat e qytetit në Prishtinë.
Profesoresha Bajçinca – Brestovci ndërroi jetë të dielën, pas një sëmundje të rëndë e të gjatë. Ajo ia ka kushtuar thuajse gjithë jetën sportit, përkatësisht hendbollit. Deri në frymën e fundit ishte kryetare e Shoqatës së Gjyqtarëve të Hendbollit të Kosovës. Ishte edhe delegate e EHF-së e ish-komesare e garave në FHK.
Shqipe Bajçinca – Brestovci ishte profesoreshë në Fakultetin e Edukatës Fizike dhe Sportit në Universitetin e Prishtinës si dhe anëtare e Bordit Ekzekutiv të KOK-ut.
Në ceremoninë e varrimit ishin drejtuesit e FHK-së dhe shumë hendbollistë, punëtorë të hendbollit e hendbolldashës. Ishte edhe Kombëtarja A e hendbollisteve.
Për personalitetin e Shqipe Bajçinca – Brestovcit fjalime rasti kanë mbajtur përfaqësuesit e MKRS-së, fakultetit dhe të Komunës së Prishtinës.