Federata e Hendbollit e Kosovës me trishtim ka pranuar njoftimin për vdekjen e hershme të ish-hendbollistit të dalluar, Valbon Shala.
Valboni, një hendbollist dhe djalosh shembullor, ka vdekur të mërkurën në moshën 39-vjeçare. Kështu Federata e Hendbollit e Kosovës dhe i gjithë komuniteti i hendbollit në vendin tonë ka mbetur pa një person të dashur e të respektuar nga të gjithë.
Valbon Shala ka luajtur shumë gjatë për skuadrën e vendlindjes, Besën e Pejës. Me Besën ka fituar shumë tituj të kampionit e Kupa të Kosovës, ndërsa ka luajtur me sukses edhe në skenën evropiane. Është shquar për angazhimin e madh dhe luftën sportive për ngjyrat e skuadrës së qytetit. Ai ishte pjesë e Besa Famiglia në debutimin evropian, në vitin 2005. Ka luajtur në garat evropiane deri në vitin 2012.
Valboni ka luajtur në pozitën e pivotit, ku është shquar me paraqitje. Karrierë ka bërë edhe në disa skuadra tjera të vendit tonë si Vëllaznimi e Vushtrria, ndërsa ishte pjesë e rëndësishme e Kombëtares së Kosovës. Në vitet e fundit karrierë ka bërë në Gjermani.
Në emër të FHK-së, familjen e nderuar Shala e ka ngushëlluar presidenti Eugen Saraçini.
“Mbetëm të shokuar kur na njoftuan për ndarjen nga jeta të Valbonit, një djaloshi të dashur nga të gjithë ne. Kontributi i tij për hendbollin pejan, por edhe për hendbollin kosovar në përgjithësi, do të kujtohet gjithnjë. Klubi Besa Famgas, Peja si qytet, komuniteti i hendbollit pejan dhe kosovar në përgjithësi, sot kanë mbetur pa një lojtar që me paraqitjet e tij ishte shembull për të tjerët. U shprehim ngushëllimet më të sinqerta në emër të gjithë familjes së hendbollit kosovar”, ka shkruar presidenti Saraçini.