Skuadra me nam, Vëllaznimi i Gjakovës, ka siguruar kthimin në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.
Skuadra kuqezi e ka përfunduar garën në Ligën e Parë në pozitën e parë në tabelë. Si kampion i Ligës së Parë, Vëllaznimi kthehet automatikisht në Superligë, pas vetëm një edicioni të kaluar në kategorinë e dytë të garave.
Trofeu i kampionit, skuadrës së Vëllaznimit iu dorëzua të dielën mbrëma në Gjakovë, pas ndeshjes së fundit kampionale me Drenicën.
Trofeun e dorëzoi presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Edin Kolgeci.
Prizreni, që përfundoi në vendin e dytë në Ligën e Parë, do të luajë në barazh me Trepçën, që ishte e parafundit në Superligë. Skuadra më e suksesshme do të jetë në Superligë në edicionin e ardhshëm garues.