Vëmendja në Mitrovicë e në Ferizaj

Në fundjavë luhet xhiroja e 23-të e Superligës A të Kosovës në hendboll. Vëmendja do të jetë në Mitrovicë e po ashtu në Ferizaj, ku zhvillohen ndeshjet kryesore të xhiros.
Të dielën prej orës 20:00 në palestrën “Minatori” takohen Trepça e Vushtrria. Trepça synon të vazhdojë me fitore dhe të forcohet në pozitën e dytë. Ndërkohë vushtrriasit synojnë të reagojnë pasi u mposhtën nga Prishtina në çerekfinale të Kupës.
Trepça është e dyta me 26 pikë, ndërsa Vushtrria e treta me 22 pikë.
Dy ndeshjet tjera janë të shtunën. Prej orës 17:00 takohen Kastrioti e Prishtina. Kastriot kërkon fitore për të rritur gjasat për paraqitje në plejof. Aktualisht është i gjashti me 19 pikë. Prishtina është e katërt me 21 pikë dhe synon të bëj tjetër hap drejt kthimit në rrugën e duhur.
Prej orës 20:00 të shtunën është ndeshja Rahoveci – Besa Famgas. Kampionia dhe liderja, Besa, është favorite, por “vreshtarët” do të angazhohen maksimalisht për fitore. Besa Famgas udhëheq me 39 pikë, ndërsa Rahoveci është i pesti me 21 pikë.
Në Superligën B, të shtunën prej orës 19:30 takohen Llapi e Deçani.
Në Ligën e Parë të hendbollistëve është java e 13-të. Të shtunën është ndeshja Drita – Vjosa (19:30), ndërsa ndeshjet e së dielës janë: Prizreni – Ulpiana (14:00) dhe Dukagjini – Lepenci (15:00).

Lajme tjera