Trepça e Besa Famgas përballen në ndeshjen më interesante të xhiros së 26-të të Superligës së Kosovës në hendboll (meshkujt).
Dy skuadrat që fituan trofetë e edicionit të kaluar, takohen në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, të shtunën nga ora 19:00.
Kampionia aktuale, Besa Famgas, është e frymëzuar nga fitorja ndaj Rahovecit, javën e kaluar. Pejanët synojnë të vazhdojnë me fitore në prag të fazës finale të garave. Ndërkohë Trepça angazhoi tre lojtarë të huaj së fundi dhe synon të rivalizojë Besën deri në fund, me shpresë për dy pikë të mëdha.
Besa Famgas është e dyta me 42 pikë. Prej pozitës së dytë do të startojë në plejof. Trepça është e katërta me 30 pikë.
Të shtunën janë edhe dy ndeshjet tjera të xhiros së 26-të. Nga ora 12:30 takohen Prishtina e Vëllaznimi. Prishtina është e pesta me 21 pikë, ndërsa Vëllaznimi i shtati me tetë pikë.
Nga ora 20:00, Rahoveci e pret Vushtrrinë. Rahoveci synon të kthehet te fitorja pas disfatës në Pejë nga Besa. Rahoveci është lider me 48 pikë. Ishte në seri prej 24 fitoreve deri të shtunën e kaluar. Vushtrria është e gjashta me 11 pikë.
Në Ligën e Parë të hendbollistëve zhvillohet xhiroja e 15-të. Të shtunën janë takimet: Prizreni – Vjosa (19:00), Istogu – Lepenci (15:30), Ulpiana – Drita (18:00), Drenica – Llapi (19:00).
Samadrexha – Dukagjini luhet të hënën nga ora 20:00.