Plot 11 ekipe kombëtare kanë garuar javën e kaluar në IHF Trophy për zonën evropiane (U18, U20) në Prishtinë. Të gjitha ndeshjet u zhvilluan në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, ndërsa në fund triumfuan Kosova tek U18 dhe Bullgaria tek U20.
Sukses tjetër për Federatën e Hendbollit të Kosovës ishte organizimi. Përfaqësuesi i Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit (IHF), Vaidas Mazheika, ka vlerësuar shumë lart organizimin, duke theksuar mobilizimin e plotë të federatës sonë që të gjitha ekipet pjesëmarrëse dhe zyrtarët e ndeshjeve të kenë përvojë shumë të mirë.
Mazheika ka falënderuar FHK-në për punën e bërë, ndërsa ka çmuar edhe garën e zhvilluar e po ashtu nivelin e kombëtareve pjesëmarrëse.
Pos përfaqësuesit të IHF-së, federatën tonë për organizimin dhe kujdesin e ka falënderuar edhe Federata e Hendbollit e Moldavisë.
FHK-ja tashmë ka përvojë në organizimin e ngjarjeve ndërkombëtare, përkatësisht të ngjarjeve IHF Trophy, Kampionateve Evropiane dhe turneve kualifikues për Evropian.
Në verë do të organizojmë tjetër Evropian për hendbolliste të reja, ndërsa nuk përjashtohet as mundësia e organizimit të fazës ndërkontinentale të IHF Trophy.