Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Ylli i Suedisë vendos për Kosovën në përvjetorin e Pavarësisë

Kosova e ka marrë një lajm tjetër të madh të premten mbrëma, në prag të dhjetëvjetorit të Pavarësisë së vendit. Është hendbollistja e njohur Albana Arifi që ka vendosur të luajë për përfaqësuesen e Kosovës. Arifi 21-veçare ka luajtur për të gjitha grupmoshat e reja të Suedisë, që e ka hendbollin e femrave shumë të zhvilluar. Është paraqitur në nivel të lartë dhe ishte yll i përfaqësueseve. Ardhja e saj vlerësohet fitore e madhe për përfaqësuesen e Kosovës. Me Albanën në përbërje, Kosova do të jetë dukshëm më e fortë.

Albana Arifi për një kohë të gjatë ka menduar që t’i bashkohet Kosovës, por vendimin e ka marrë vetëm të premten mbrëma, një ditë para se Kosova të festojë dhjetëvjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Për hendbollin kosovar, kjo është një dhuratë e madhe.

“Për këtë vendim Albana ka menduar një kohë të gjatë, ndërsa sot më ka njoftuar se e ka marrë vendimin që të luajë për Kosovën. Ajo e ka ndjerë një lloj presioni emocional që të jap kontributin për Kosovën, vendin e saj. Jo shumë kohë më parë ajo ka pasur një bisedë me përzgjedhësin e Suedisë, që i ka thënë të mos ngutet, por Albana pasi ka menduar gjatë ka vendosur për Kosovën”, ka thënë babai i Albanës, Rushit Arifi.

Kontakti i FHK-së me Albanën dhe familjen e saj ekziston prej se lojtarja i kishte 14-vjet. Ajo më pas nisi të luajë për U-15 të Suedisë dhe ka luajtur për të gjitha grupmoshat deri te U-20. Një lëndim i ligamenteve e ka frenuar paksa, por ajo është kthyer me plot sukses dhe po e vazhdon ecjen para në karrierë. Për shkak të lëndimit ka pauzuar afro një vit e gjysmë, por tashmë është plotësisht e gatshme. Ka gjasë që Albana të debutojë për Kosovën qysh në muajin e ardhshëm, nëse procedurat kryhen me kohë.

“Është vendim shumë i madh, pasi ka hequr dorë nga mundësia që të luajë për Suedinë, që e ka përfaqësuesen shumë të zhvilluar. Ajo ka luajtur në të gjitha ndeshjet, në të gjitha garat prej U-15 deri me U-20 të Suedisë. Tashmë bashkëlojtaret e saj janë në përfaqësuesen A të Suedisë. Kështu që nuk përjashtohej mundësia që ajo të luante edhe për Suedinë në të ardhmen. Por ajo ka vendosur për Kosovën, pasi ka dashur të jap kontributin e saj për vendin”, ka theksuar babai i hendbollistes.

Me përfaqësueset e reja të Suedisë, Albana ka arritur plot suksese ndërkombëtare. Ajo aktualisht është pjesë e ekipit suedez Eslovs. Por me këtë skuadër ka kontratë vetëm deri në mars, ndërsa tashmë është e vërshuar nga ofertat. Ndër të tjera ka shumë oferta nga Danimarka, që ka njërin prej kampionateve më të mirë të hendbollit të femrave dhe nga klubet më të mëdha të Suedisë.