Pivotja e Kombëtares së Kosovës, Yllka Shatri ka bërë lëvizje të rëndësishme në karrierë.
Të mërkurën Yllka është prezantuar te skuadra nga Islanda, IBV Handbolti.
Me IBV, Yllka ka firmosur për një vit, me mundësi të vazhdimit edhe për një vit tjetër.
Prej fillimit të karrierës ajo ishte tek Istogu, me të cilën skuadër për gjashtë vjet luajti në Evropë dhe fitoi shumë trofe në hendbollin kosovar.
Tani Yllka ka para vetes një sfidë të re, që pritet ta ngritë edhe më lartë si lojtare.
“Përmes agjencisë që më përfaqëson erdhi oferta e klubit nga Islanda, IBV Handbolti. Kisha edhe disa oferta nga vende të tjera, por vendosa për këtë në Islandë. Skuadra ime e re luan po ashtu në kupa evropiane. Vjet u ndal në raundin e tretë të Kupës Evropiane. Hendbolli në Islandë është cilësor, liga është interesante. Luhet pak më ndryshe se te ne në Kosovë dhe besoj se do të përfitoj shumë në karrierë nga përvoja në këtë vend. Kam vendosur për Islandë edhe për faktin se ky vend është goxha i veçantë. Të shohim si do të shkoj, shpresoj sa më mirë”, ka theksuar Yllka Shatri.
Te klubi islandez presin shumë nga hendbollistja jonë.
“Lojtarja e vijës nga Kosova, Yllka Shatri ka firmosur me klubin tonë. Yllka vjen nga KHF Istogu që u bë kampion i Kosovës. Yllka është e gjatë 180 centimetra dhe pivote e fuqishme. Kemi shpresa të mëdha për Yllkën dhe mezi presim ta shohim në fushë”, ka shkruar IBV në faqen zyrtare.