Zbulohen kundërshtarët e mundshëm të Kombëtares së Kosovës

Kombëtarja e Kosovës në hendboll të shtunën e mëson kundërshtarin në fazën e dytë kualifikuese për Kampionatin Botëror të vitit të ardhshëm. Të kujtojmë që hendbollistet tona arritën sukses historik duke e kaluar Kombëtaren e Ishujve Faroe në fazën e parë.
Të shtunën prej orës 13:00 tërhiqet shorti për fazën e dytë kualifikuese. Shorti hedhet në Lubjanë, ku zhvillohet faza finale e Kampionatit Evropian.
Kroacia, Spanja, Gjermania, Hungaria, Maqedonia e Veriut, Polonia, Rumania, Sllovenia dhe Zvicra janë kundërshtaret e mundshme të Kosovës. Këto të gjitha janë kombëtare që luajtën në Evropianin që po mbahet ende. Janë në vazon e parë për short, ndërkohë që Kosova është në vazon e dytë. Pos Kosovës në vazon e dytë janë edhe Çekia, Austria, Sllovakia, Islanda, Turqia, Ukraina, Portugalia, Greqia e Italia.
Kosova do të përballet në dy ndeshje me një Kombëtare të vazos së parë. Dhe nëse e kalon pengesën e radhës, kualifikohet në Botëror, që do të ishte sukses i jashtëzakonshëm.
Ndeshjet e para luhen më 7/8 prill të vitit të ardhshëm, ndërsa ato të kthimit më 11/12 prill. Përmes shortit do të përcaktohet cila kombëtare do të jetë vendase në ndeshjen e parë.
Në vazon e parë është edhe Serbia, por EHF-ja nuk lejon ndeshjet Kosovë – Serbi.
Botërori mbahet pas një viti, ndërsa organizatoret, Danimarka, Norvegjia dhe Suedia kualifikohen direkt. Norvegjia është edhe kampione në fuqi. Direkt janë kualifikuar edhe Franca, Mali i Zi dhe Holanda, në bazë të plasmanit në Euro 2022. Dhjetë Kombëtare tjera evropiane do të përcaktohen përmes fazës së dytë kualifikuese.

Lajme tjera