Kastrioti ka fituar Kupën e Kosovës dhe tani është në finale të plejofit ku përballet me kampionin aktual, Besa Famgas. Në gjysmëfinale të plejofit Kastrioti i Ferizajt eliminoi Prishtinën në dy ndeshje, ndërsa ndeshja e parë finale e plejofit luhet të mërkurën (20:30) në palestrën “Karagaçi” në Pejë. Trajneri i Kastriotit, Verim Zherka është optimist para ndeshjeve vendimtare të kampionatit.
“Pasi fituam Kupën jemi orientuar për plejof dhe tashmë jemi në finale, pasi eliminuam Prishtinën në gjysmëfinale. Ekipi ynë është në ngritje në çdo aspekt për fazën finale të garave dhe këtë e treguam për Kupë dhe në gjysmëfinale të plejofit. Jemi duke u përgatitur për ndeshjen e parë finale me Besa Famgasin. Atmosfera në ekip është në nivel të duhur, lojtarët janë të motivuar maksimalisht për sfidat që na presin. Jemi duke analizuar lojën e rivalit dhe po punojmë në strategjinë që t’i pamundësojmë Besës të zhvillojë lojën që i konvenon më së shumti. Në Pejë të mërkurën udhëtojmë për fitore dhe kam besim të plotë që lojtarët tanë do të angazhohen maksimalisht për rezultat pozitiv”, ka theksuar Verim Zherka.