Aldi Rudari ka shënuar 12 gola derisa Kastrioti ka fituar pikët në ndeshjen e luajtur në shtëpi. Kastrioti të enjten mbrëma në palestrën “Bill Clinton” e mposhti Vëllaznimin e Gjakovës me rezultat 37:32. Pas pjesës së parë rezultati ishte 21:15.
Ndeshja i takonte javës së 27-të të Superligës A të Kosovës në hendboll. Ishte kjo ndeshja e fundit e javës së parafundit të Superligës A. Vetëm në minutat e fundit ferizajasit u shkëputën në rezultat. Në pjesën e dytë gjakovarët ia dolën të afrohen në një gol, por më pas vendasit e kontrolluan ndeshjen deri në fund.
6 gola për Kastriotin i shënoi Guilherme Da Silva, derisa nga 5 i kishin Jeton Bislimi e Hamdi Salihu.
Te Vëllaznimi 11 gola i shënoi Arbër Neziri. Nga 7 i kishin Ardi Halili e Mali Luzha.
Kastrioti është i pesti me 27 pikë, ndërsa Vëllaznimi i gjashti me 21. Në këto pozita edhe do ta përfundojnë kampionatin.