Java e 11-të me ndeshje interesante

Të shtunën luhen tri ndeshje të javës së 11-të të Superligës së Kosovës në hendboll (meshkujt). Edhe java e 11-të ofron shumë duele interesante dhe me rivalitet, ashtu si edhe xhirot e kaluara.

Dy skuadrat me traditë, Trepça e Kastrioti takohen nga ora 19:00 në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Trepça e kishte fituar ndeshjen e parë në Ferizaj dhe po ka rezultate të mira. Aktualisht është e dyta me 16 pikë. Kastrioti ka pasur lëkundje në formë, ndërsa mban vendin e katërt me 12 pikë. Ferizajasit do të japin më të mirën në kërkim të revanshit sportiv.

Deçani, që në dy xhirot e kaluara mbeti pa pikë përkundër paraqitjes së mirë, e pret Llapin. Edhe kjo ndeshje luhet nga ora 19:00, të shtunën, njëjtë si takimi Drenica – Zhegra. Dy skuadrat e fundit të tabelës, Drenica e Zhegra kërkojnë pikë nga ky takim.

Të hënën është takimi Prishtina – Vëllaznimi (19:30), që po ashtu pritet të jetë interesant dhe me rivalitet. Ndeshja Rahoveci – Besa Famgas luhet më vonë për shkak të sfidës evropiane të ekipit pejan.
Në Ligën e Parë është java e nëntë. Vushtrria – Prizreni, Ulpiana – Drita, Samadrexha – Istogu, KEK-u – Vjosa janë takimet e kësaj jave.

Lajme tjera