Kombëtarja A e Kosovës në hendboll të premten ka udhëtuar për në Tel Aviv ku të dielen luhet ndeshja tjetër me Izraelin. Kombëtarja jonë të mërkurën në Prishtinë kishte paraqitje impresive dhe fitoi ndaj Izraelit me rezultat 27:24, në fazën e dytë të kualifikimeve për “Euro 2020”. Ishte kjo një fitore historike, ndërsa djelmoshat tanë kërkojnë tjetër sukses në Izrael.
Ndeshja Izrali – Kosova luhet të dielen nga ora 19:00 në Tel Aviv. Portieri Haris Berisha ishte prej më të mirëve në ndeshjen në Prishtinë, ndërsa ai është optimist edhe për ndeshjen në Izrael. Berisha është i vetëdijshëm se Kosovën e pret ndeshje edhe më e vështirë me izraelitët.
“Disponimi te lojtarët është shumë i mirë pas fitores së parë në Prishtinë. Ndeshja e dytë do të jetë edhe më e vështirë, pasi jemi mysafir. Do të mundohemi të jemi të qetë dhe të bëjmë të njëjtën lojë si në Prishtinë. Shpresojmë të ndodh diçka e madhe”, ka thënë Berisha nga Tel Avivi.