Kombëtarja U-20 e Kosovës në hendboll prej 14 deri më 18 korrik do të qëndrojë në Turqi, përkatësisht në Stamboll. Gjatë kësaj kohe 20-vjeçarët do të zhvillojnë dy ndeshje miqësore përgatitore me kombëtaren e Turqisë. Ndeshjet luhen më 15 dhe 17 korrik.
Këto ndeshje do t’i shërbejnë shtabit teknik që drejtohet nga Fatmir Muhaxheri për të parë formën e lojtarëve dhe për të bërë përgatitjet e fundit para ndeshjeve të kampionatit evropian.
Kombëtarja është përgatitur në Gjakovë, ndërsa udhëtimi për në evropian është paraparë për 19 korrik. Fillimisht ishte pritur që kombëtarja e juniorëve të luajë miqësore ndaj Malit të Zi dhe Maqedonisë, por ato ndeshje dështuan. Kështu që u vendos për dy miqësore cilësore në Turqi.
Kosova U-20 paraqitet në raundin preliminar të kampionatit evropian. Bënë pjesë në grupin A, ndeshjet e të cilit luhen në Podgoricë të Malit të Zi. Kosova më 20 korrik përballet me Holandën, ndërsa më pas luan me Çekinë (22 korrik), Moldavinë (23 korrik), Austrinë (25 korrik), Bullgarinë ( 26 korrik).