Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Merditaj po e realizon ëndrrën

Adriana Merditaj është njëra prej lojtareve të reja në kombëtaren e Kosovës në hendboll. Ajo është ftuar nga selektori Agron Shabani për ndeshjet me Hungarinë dhe Holandën dhe ka disa ditë që gjendet në Prishtinë, në grumbullimin e kombëtares. Merditaj bënë karrierë në Gjermani dhe në stërvitje ka treguar përkushtim dhe diciplinë të lartë. Ajo pritet të ndihmojë Kosovën në ndeshjet shumë të vështira me Hungarinë dhe Holandën, që janë superfuqi të hendbollit. Kosova e pret Hungarinë më 30 maj në Ferizaj, ndërsa më 2 qershor luan si mysafire ndaj Holandës. Janë këto ndeshjet e fundit të fazës së dytë kualifikuese për evropian.

“Unë po ndjehem shumë mirë në Kosovë. Bashkëlojtaret më kanë pritur shumë mirë, gjithashtu edhe trajnerët”, ka thënë Adriana Merditaj, që për herë të parë është në një tubim të kombëtares së Kosovës.

“Përzgjedhësi Agron Shabani erdhi që të më shikojë në Gjermani gjatë disa ndeshjeve me skuadrën time dhe jam shumë falenderuese që më zgjodhi të jam pjesë e kombëtares.Dihet që ëndërr e çdo sportisti është të mbrojë ngjyrat e shtetit të vet”, ka theksuar Merditaj.

Ajo ka lindur në Gjermani, por me prejardhje është nga Gjakova. Është 23-vjeçare dhe luan në pozitën qendër.

“Ne e dijmë që Hungaria dhe Holanda janë superfuqi botërore në hendboll, por ne do të mundohemi të bëjmë paraqitje sa më të mirë”, premton Adriana. Paraqitjet me Kosovën mund t’i ndihmojnë të bëjë hapa para në karrierë edhe në Gjermani.

“Më herët kam luajtur në Bundesliga 2 me skuadrën TSV Haunstetten. Momentalisht jam duke luajur në ligën e katërt gjermane, për skuadrën TSV Ottobeuren”, ka treguar reprezentuesja e re e Kosovës.