Besa FamGas ka dominuar hendbollin në vend në vitet e fundit. Edhe sivjet është në finale të Kupës dhe do të fillojë nga pozita e parë plejofin. Por hendbollin pejan e presin ditë të ndritura edhe në të ardhmen. Skuadra nga Peja, Besa FamGas, pasi ka fituar titullin e kampionit të Kosovës në grupmoshën e kadetëve, siguroi titullin edhe në grupmoshën e juniorëve.
Të shtunën në Pejë është luajtur turneu final për grupmoshën e juniorëve, përkatësisht ndeshjet gjysmëfinale, ndeshja për vend të tretë dhe finalja.
Besa FamGas I kishte fituar të gjitha dhjetë ndeshjet në Grupin A të ligës së juniorëve, ndërsa në gjysmëfinale të plejofit u përball me Vëllaznimin. Fitoi me rezultat 25:21. Në gjysmëfinalen tjetër të plejofit luajtën Vushtrria dhe Kastrioti. Fitoi Kastrioti me rezultat 22:20.
Kështu për vend të tretë luajtën Vëllaznimi e Vushtrria, ndërsa fitore shënoi skuadra gjakovare Vëllaznimi me rezultat 37:31.
Në finale të plejofit të ligës së juniorëve, Besa FamGas fitoi ndaj Kastriotit të Ferizajt me rezultat 32:22.