Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Sfida të reja evropiane për gjyqtarët dhe delegaten kosovare

Federata e Hendbollit e Kosovës vazhdon të ketë përfaqësim të madh në kupa evropiane, me gjyqtarë e delegatë. Pas shumë ndeshjeve evropiane që drejtuan në vjeshtë, gjyqtarët kanë mësuar edhe ndeshjet e para të garave të klubeve të Federatës Evropiane që do t’i drejtojnë në vitin 2018.

Janë tri çifte gjyqtarësh nga Kosova që do të drejtojnë ndeshje së shpejti.

Dyshja Ilir Bytyqi – Syart Kasapi do të drejtojë dy ndeshje të një të tetës së finales së Challenge Cup për femra. Më 27 e 28 janar në Lublin të Polonisë përballen skuadra vendase MKS Perla Lublin me atë portugeze SIR 1MAIO/ADA CJB.

Në kuadër të një të tetës së finales së Challenge Cup për femra referojnë edhe Sherif Xhema e Besfort Jahja. Ata më 11 shkurt në Ardeshen të Turqisë drejtojnë ndeshjen e kthimit në mes Ardeshen GSK dhe skuadrës nga Portugalia, Alavarium/Love Tiles.

Ndeshje të femrave, por të Kupës së EHF-së, drejtojnë  Eshref Beqiri e Ilir Krasniqi. Ata më 27 janar në Zalau të Rumanisë do të jenë gjyqtarë të ndeshjes në mes H.C. Zalau dhe klubit çek DHK Banik Most. Kjo ndeshje i takon fazës grupore të Kupës së EHF-së.

Sfidat e radhës ndërkombëtare i ka edhe delegatja e EHF-së nga Kosova, Shqipe Bajçinca. Ajo më 3 e 4 shkurt do të qëndrojë në Zagreb të Kroacisë, ndërsa do të jetë delegate e ndeshjeve mes Lokomotivës së Zagrebit dhe ekipit grek PAOK. Janë këto ndeshje të një të tetës së finales së Challenge Cup për femra. Ndeshjet në Zagreb do t’i drejtojnë sllovenët Ozren Baçkoviq dhe Mirko Palaçkoviq.

Ndërkohë dyshja mitrovicase e referëve, Erdoan e Arsim Vitaku ka drejtuar tashmë ndeshje ndërkombëtare në këtë vit. Ata më 14 janar në Aksaray të Turqisë drejtuan ndeshjen mes përfaqësueses së Turqsisë dhe Greqisë (meshkujt). Ndeshja ishte e vlefshme për kualifikimet për botërorin e vitit të ardhshëm dhe u fitua nga Turqia me një gol dallim, 24:23.