Pas një viti e gjysmë mungesë për shkak të lëndimit të gjurit, kapitenia e Kombëtares së Kosovës, Leonora Demaj ka nisur me ndeshje. Demaj po luan për Ringkobingun në elitën daneze, njërën prej ligave më të forta në botë.
Demaj po kthehet gradualisht në formë dhe në ritmin e ndeshjeve. Ajo luan në një skuadër me motrat Marigona e Arlinda Hajdari. Marigona është prej lojtareve kryesore në skuadër, ndërsa Arlinda do të pauzojë gjatë për shkak të një lëndimi.
Fakti se Leonora luan së bashku me dy reprezentuese tjera, pritet të jetë plus i madh për Kombëtaren tonë. Demaj nuk ka luajtur për Kosovën që nga nëntori i vitit 2019 dhe mezi pret të grumbullohet sërish me Kombëtare.
“Jam shumë e kënaqur që më në fund i jam rikthyer sportit që e dua pafundësisht. Ka qenë një kohë shumë e gjatë jashtë fushës, por më në fund jam rikthyer. Ka qenë shumë vështirë të përballojë kohën e gjatë të rehabilitimit. Jam shumë e lumtur që jam duke ushtruar çdo ditë dhe po e shijoj çdo minutë në fushë. Jam shumë e kënaqur me ekipin në Ringkobing. Po ushtroj mirë e më mirë. Një vit e gjysmë është periudhë shumë e gjatë për të mos luajtur dhe natyrisht duhen shumë stërvitje që të kthehem në formën e mëparshme dhe të gjej tajmingun në një ekip të ri. Por nuk kam aspak dyshim që do të bëhet shumë mirë”, ka thënë Demaj për sajtin zyrtar të FHK-së.
Ajo i ka munguar shumë ekipit tonë Kombëtar, që megjithatë kishte rezultate të mira në ndeshjet e fundit. Ndonëse me mungesa të shumta dhe me telashe shëndetësore të lojtareve, Kosova fitoi ndaj Qipros dhe Luksemburgut, ndërsa pësoi nga Portugalia.
Demaj së bashku me motrat Hajdari pritet të jenë për kohë të gjatë bartëse të lojës në ekipin tonë kombëtar.
“Shpresoj që do të shihet në Kombëtare që luaj së bashku me Marigonën. Tashmë e njohim njëra-tjetrën shumë mirë dhe për këtë arsye është më e lehtë të luajmë së bashku. Po ashtu me Arlindën kur ajo të rikthehet. Shpresoj që sa më shpejt do të mblidhemi me Kombëtaren. Ka shkuar shumë kohë e gjatë që nuk kam luajtur dhe nuk i kam parë vajzat. Kështu që mezi pres të mblidhemi përsëri”, ka theksuar Leonora Demaj.