Besa Famgas e ka fituar bindshëm derbin e xhiros së dhjetë të Superligës së Kosovës në hendboll. Të dielën mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë, Besa e mposhti Prishtinën me rezultat 34:22. Shkëputja e pejanëve filloi herët, ndërsa pas pjesës së parë rezultati ishte 17:12. Prishtina nuk ia ka dalë të afrohet në pjesën e dytë dhe rezultati në fund ishte bindës për Besa Famgas, kampionen në fuqi.
Balsha Raçiq e Egzon Gjuka shënuan nga 6 gola për Besën, kurse 5 i kishte Kastriot Jupa. Te Prishtina, Vlerson Zherka ishte më efikasi me 7 gola. Për Besën ishte fitorja e nëntë rresht. Udhëheq në tabelë me 18 pikë. Prishtina renditet e treta me 14 pikë. Pësoi humbjen e dytë.