Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Të martën vendoset kampioni te hendbollistet

Një lojtare po vrapon drejt portës, kurse tri lojtare të ekipit kundërshtar janë në gjendje gatishmërie që t'a ndalojnë sulmin e saj.

Të martën do të vendoset kampioni i Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave për edicionin 2019\2020. Në ndeshjen e dytë finale të plejofit do të takohen Istogu dhe Ferizaj.

Ndeshja luhet nga ora 18:00 në palestrën “Dresha” në Orroberdë të Istogut. Ndeshjen e parë finale e ka fituar Ferizaj me pesë gola dallim, 34:29. Ndeshja e parë finale e plejofit është luajtur të shtunën në Ferizaj. Madje ferizajaset kishin epërsi edhe më të lartë gjatë ndeshjes, por istogaset u afruan në fund.

Ndeshja e dytë dhe vendimtare pritet të jetë me rivalitet. Kampioni aktual, Istogu, synon fitore me më shumë se pesë gola dallim për të mbrojtur titullin. Ndërsa Ferizaj synon të mbrojë rezultatin e ndeshjes së parë.

Ferizaj për herë të parë garon në Superligë dhe tani ka pretendime për të fituar titullin. Ferizaj ka lojtare me përvojë, por përvoja nuk iu mungon as lojtareve të Istogut.

Ndeshja do të luhet pa praninë e shikuesve në palestër dhe duke respektuar masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Në gjysmëfinale të plejofit, Istogu e eliminoi Prishtinën kurse Ferizaj me përmbysje të madhe në ndeshjen e dytë eliminoi Vushtrrinë.