Hendbollistet e Vushtrrisë e kanë fituar ndeshjen e xhiros së 14-të të Superligës së Kosovës. Vushtrria të dielën mbrëma e mposhti Kastriotin e Ferizajt me dy gola dallim, 33:31.
Pjesa e parë ishte kryesisht e barabartë, ndërsa përfundoi me 17:16 në të mirë të skuadrës vendase. Në pjesën e dytë është luajtur për secilin gol.
Ndeshja ishte e fortë dhe e barabartë. Në minutën e 55-të Vushtrria krijoi epërsi prej dy golave, 32:30. Ferizajaset u afruan në 32:31, ndërsa në fund Vushtrria shënoi për 33:31.
Lorena Matarova udhëhoqi Vushtrrinë me 11 gola. 6 gola i shënoi Burneta Rama.
Te Kastrioti u dallua Ermira Saliu me 6 gola. Nga 5 gola i kishin dy lojtare.
Vushtrria është e dyta me 24 pikë. Kastrioti është i gjashti me 15 pikë, por ka dhënë shenja se synon pozitë shumë më të mirë.
Me dy gola dallim fitoi edhe Shqiponja ndaj Samadrexhës (23:21). Ndërkohë Vjosa e mposhti Dritën me shifrat 28:15.