Albana Arifi ka përfunduar një edicion të suksesshëm në Suedi me skuadrën e saj, Lugi. Skuadra e Albanës ka përfunduar kampionatin 2019\2020 në vendin e katërt, ndërsa hendbollistja jonë ëshë shquar me paraqitje të mira gjatë gjithë edicionit. Ajo në dhjetor ka nënshkruar kontratë të re me Lugin, pas paraqitjeve të mira që kishte.
Kampionati në Suedi ka përfunduar më herët se që ishte planifikuar për shkak të pandemisë së koronavirusit, por Albana Arifi nuk ka ndërprerë asnjëherë stërvitjet. Ajo është e gatshme të luaj për Kosovën, menjëherë pasi kjo të lejohet.
Aktualisht është në fuqi vendimi që Kombëtarja e Kosovës në javën e parë të qershorit t’i luaj katër ndeshje kualifikuese për “Euro 2020”. Por me gjendjen aktuale nuk është e sigurt që këto ndeshje do të zhvillohen.
“Pas paraqitjes së pandemisë kam ndryshuar shumë rutinën. Jam më tepër e kujdesshme dhe mundohem t’i evitoj grupet e mëdha të njerëzve. Gjithashtu evitoj kontaktet me të moshuarit si dhe me prindërit e mi, posaçërisht me nënën, që i përket grupit të të rrezikuarve nga virusi. Fokus të veçantë jam duke i kushtuar studimeve dhe gjithashtu vazhdoj me ushtrime të rregullta fizike për të mbajtur kondicion të mjaftueshëm”, ka thënë Albana në një bisedë për faqen zyrtare të FHK-së.
Ajo ka treguar se pas paraqitjes së koronavirusit, kampionati i hendbollit në Suedi është luajtur pa praninë e shikuesve në ndeshje. Skuadra e saj fitoi ndeshjen e fundit, që ishte pa shikues dhe siguroi vendin e katërt. Më pas u vendos që plejofi mos të zhvillohej dhe të vlente renditja në kampionatin e rregullt.
“Suedia nuk ka aplikuar masa të rrepta të izolimit dhe për fatin tim të mirë, të gjitha qendrat e fitnesit kanë qenë të hapura. Kam ushtruar rregullisht. Po ashtu gjatë tërë kohës kemi pasur ushtrime në natyrë së bashku me skuadrën”, ka treguar reprezentuesja e Kosovës.
Ajo ka dyshime që Kosovës do t’i lejohet zhvillimi i ndeshjeve në qershor.
“Nuk jam e sigurt që deri në qershor do të happen mundësitë për të vazhduar me gara. Por natyrisht që çdo vonesë është humbje e madhe jo vetëm për ne vashat e Kosovës por për të gjithë sportistët. Ne nuk marrim vendime për ndeshje por mund të ndikojmë në kondicionin tonë dhe të jemi të gatshme në çdo moment. Personalisht do të jem e gatshem të futem në fushë në çdo moment që kjo kërkohet prej meje”, ka deklaruar Albana Arifi.