Besa Famgas e ka fituar ndeshjen e parë finale të plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll. Skuadrës pejane tani i duhet edhe një fitore apo një barazim për ta mbrojtur titullin e kampionit.
Finalja e parë në mes të Besës dhe Prishtinës u luajt të shtunën mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë dhe përfundoi me rezultati 38:30 në të mirë të skuadrës vendase. Besa ka vazhduar me fitore këtë edicion. Ishte fitorja e 31-të kampionale.
Pejanët nisën herët shkëputjen në rezultat, ndërsa pas pjesës së parë kishin epërsi prej shtatë golash (17:10). Epërsia e Besa Famgas ishte bindëse edhe në pjesën e dytë. Në fund dallimi ishte tetë gola, 38:30.
Egzon Gjuka ishte më efikasi te Besa me 12 gola. Nga 5 i shënuan Nikola Prce e Denis Shabanoviq.
Te Prishtina, 9 gola i realizoi Oltion Beshiri. Agon Bajqinovci, Beni Syla e Festim Mustafa shtuan nga 5.
Ndeshja e dytë finale luhet në mesjavën e ardhshme në Prishtinë.