Vushtrria ka shënuar fitore të madhe në kuadër të Superligës së Kosovës në hendboll. Të dielën mbrëma në Rahovec, Vushtrria e mposhti skuadrën vendase me rezultat 28:26. Ndeshja ishte e vlefshme për javën e 11-të.
Pas fillimit të barabartë të ndeshjes, vushtrriasit nisën shkëputjen e lehtë dhe pas 30 minutave rezultati ishte 14:10 për mysafirët. Në pjesën e dytë epërsia e Vushtrrisë shkoi deri në tetë gola, 25:17. Deri në fundi Rahoveci u afrua në dy gola, 28:26.
Bozhidar Nikoçeviq i shënoi 10 gola për Vushtrrinë. Gjashtë i kishte Erkan Abazgjiku, kurse nga katër i shënuan Egzon Vuçitërna dhe Nemanja Drakuloviq. Te Rahoveci, Marley Fernandes i shënoi shtatë gola. Pesë i kishte Mali Luzha, kurse katër i realizoi Alban Haziri.