Kastrioti ka nisur ngadalë, por ka festuar në fund të ndeshjes hapëse të edicionit 2023/2024 në Superligën e Kosovës në hendboll (meshkujt). Të shtunën mbrëma në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj, Kastrioti e mposhti Trepçën e Mitrovicës me rezultat 31:30. Ndeshja ishte skajshmërisht dramatike dhe u vendos në aksionet e fundit.
Portieri Dardan Dugolli ka shkëlqyer te Kastrioti dhe ka udhëhequr skuadrën ferizajase drejt fitores së madhe. Festim Mustafa ishte më efikasi me 11 gola. Shtatë i kishte Beni Syla e gjashtë Vlerson Zherka. Te Trepça më efikasi ishte Deniz Terziqi me dhjetë gola. Lulzim Shabani i kishte gjashtë e Yassine Henahem pesë.
Trepça nisi fuqishëm dhe shpejtë krijoi epërsi prej 7:1. Në pjesën e parë mitrovicasit vazhdimisht kanë mbajtur epërsi prej 4-5 golash. Por kjo nuk ishte e mjaftueshme. Vendasit nuk u dorëzuan.
Kastrioti për herë të parë ka barazuar në minutën e 37-të, 18:18. Në minutën e 48-të kaloi në epërsi 24:23. Më pas u zhvillua ndeshje shumë interesante, kurse Kastrioti në fund kishte edhe dy gola avantazh, 30:28. Prapë mitrovicasit barazuan në 30:30, ndërsa Syla shënoi golin e 31-të për Kastriotin në minutën e 59-të. Në sulm Trepça bëri faul dhe kështu fitorja dhe festa u takoi ferizajasve.
Ishte kjo një hapje shumë e mirë e kampionatit, që pritet të ketë shumë ndeshje të forta e dramatike.