Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës në hendboll, Bujar Qerimi, ka folur të shtunën në prag të grumbullimit të Kombëtares për ndeshjet me Sllovakinë. Ndeshja e parë me Sllovakinë është të enjten prej orës 18:00 në Povazska Bystrica. Ndërsa ndeshja e dytë është më 5 nëntor në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Ndeshjet i takojnë fazës së parë të kualifikimeve evropiane për Kampionatin Botëror të vitit 2025. Kombëtarja më e mirë pas dy ndeshjeve avancon tutje.
Grumbullimi i Kombëtares bëhet të dielën mbrëma, ndërsa Qerimi do të mbaj të hënën dy stërvitje me të përzgjedhurit e tij. Të martën është udhëtimi për në Sllovaki, ku planifikohen edhe disa stërvitje.
“Situata është pak e komplikuar. Kemi disa mungesa të lojtarëve kryesorë. Vëllezërit Tahirukaj nuk vinë në grumbullim. Bujar Ramosaj ka probleme në vend të punës, ndërsa për Valon Dedajn jemi në pritje të përgjigjes të hënën. Lojtarët e tjerë do të jenë prezentë. Ambiciet janë ta kalojmë me sukses këtë përballje të dyfishtë me Sllovakinë. Sa i përket kualitetit, Sllovakia është e përafërt me Kombëtaren tonë. Por me mungesat që kemi ndryshon pak situata. Ne natyrisht e kemi për detyrë të japim maksimumin”, ka thënë selektori Bujar Qerimi.