Federata e Hendbollit e Kosovës po vazhdon punën për të forcuar ekipet kombëtare të kategorive të reja. Pos angazhimit për të rritur cilësinë e lojtarëve në vend, po vazhdon puna për identifikimin e lojtarëve të rinj në vendet tjera e që mund të jenë me potencial për vend në Kombëtare.
Në listën e atyre që mund të përzgjidhen te grupmosha e kadetëve në Evropianin e Divizionit B që mbahet në verë, është shtuar edhe Ajdin Gashi. Ai po e mëson hendbollin në Bosnjë-Hercegovinë, te skuadra Bosna Teshanj. Tashmë është në ekipin senior. Gashi e ka gjithë dokumentacionin e rregulluar dhe i mbetet shtabit teknik të vendos nëse do ta përfshijë në Kombëtare.
Gashi më herët ishte te klubi Maglaj, ndërsa ka dhjetë vjet që merret me hendboll.
Për në verë, FHK-ja planifikon kampe të ndryshme me grupmosha të reja, për të krijuar bazë sa më të gjerë të lojtarëve dhe për të rritur konkurrencën e rrjedhimisht edhe cilësinë në ekipet kombëtare.
Seniorët e Kosovës janë në moment të ndritur, pas fitores ndaj Rumanisë. Tani na pret ndeshja me Malin e Zi, me synim për kualifikim në Evropian. Ndërkohë hendbollistet kanë pasur dy paraqitje solide në Austri javën e kaluar, ndonëse pësuan humbje. Ka shpresë për më shumë sukses në ndeshjet e ardhshme kualifikuese në fund të majit dhe fillim të qershorit në Portugali.