Nuk ka dhënë fitues kryendeshja e xhiros së 14-të në Superligën e Kosovës në hendboll (femrat).
Të shtunën në Ferizaj, Kastrioti e Vushtrria luajtën 27:27. Në pjesën e parë më shumë në epërsi ishin mysafiret nga Vushtrria. Edhe në pjesën e dytë vushtrriaset kishin epërsi të lehtë, ndërsa në minutën e 54-t, rezultati ishte 27:25 për Vushtrrinë. Më pas Kastrioti shënoi dy gola për të fituar një pikë në fund.
Lorena Matarova i shënoi dhjetë gola për Kastriotin, ndërsa tetë i kishte Puhiza Gashi.
Te Vushtrria, 13 gola i shënoi Burneta Rama. Pesë i shënoi Gentiana Basholli.
Vushtrria është e dyta me 23 pikë. Kastrioti mbetet i katërti me 19 pikë.
Në ndeshjet tjera nuk ka pasur befasi. Kampioni dhe lideri, Istogu, të dielën fitoi bindshëm ndaj Shqiponjës. Ndeshja në Gjakovë përfundoi 41:23 për istogaset.
Ferizaj fitoi ndaj Samadrexhës 28:17, po të dielën.
Të shtunën, Prishtina e mposhti Jusuf Gërvallën me rezultat 37:24, ndërsa Vëllaznimi fitoi ndaj Dukagjinit me rezultat 45:29.