Të dielën janë ndeshjet e dyta në serinë gjysmëfinale të plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll (meshkujt). Skuadrat që i fituan ndeshjet e para, Besa Famgas e Trepça, janë mysafire.
Kampionia në fuqi, Besa Famgas, fitoi 33:23 ndaj Vushtrrisë, të enjten në Pejë. Të dielën prej orës 19:00 është ndeshja në Vushtrri dhe skuadra e Besës është favorite e madhe për të siguruar finalen. Vushtrriasit do të japin maksimumin në tentim për të barazuar rezultatin në 1:1 dhe për të siguruar ndeshjen e tretë.
Besa Famgas nuk ka humbje në kampionat këtë edicion dhe pret që gjysmëfinalen ta kalojë me dy ndeshje.
Gjysmëfinalja e dytë mes Prishtinës dhe Trepçës luhet nga ora 16:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në kryeqytet. Ndeshjen e parë, të luajtur të mërkurën në Mitrovicë, e kishte fituar Trepça me rezultat 32:29. Trepça udhëton me synim për ta siguruar finalen, derisa te Prishtina janë të përkushtuar që gjysmëfinalen ta dërgojnë në ndeshjen e tretë. Pritet ndeshje e fortë dhe hendboll i mirë në kryeqytet.