Pas ndeshjeve evropiane, kampionja Besa Famgas dhe fituesja e Kupës, Trepça, u kthehen sfidave në Superligën e Kosovës në hendboll (meshkujt).
Të enjten Besa e Pejës dhe Trepça e Mitrovicës i luajnë ndeshjet e xhiros së shtatë të kampionatit të Kosovës.
Besa e pret në palestrën “Karagaçi” skuadrën Kastriotit. Ndeshja zhvillohet prej orës 18:30 dhe pritet të jetë e fortë. Skuadra ferizajase, Kastrioti, ka shfaqur disa ndeshje të mira këtë edicion dhe synon pikë nga udhëtimi i vështirë në Pejë.
Besa Famgas natyrisht llogarit në fitore.
Derbi pritet të jetë ndeshja mes Trepçës dhe Prishtinës, që zhvillohet prej orës 18:00 në “Minatori”. E frymëzuar nga paraqitjet e mira në Bosnjë-Hercegovinë, skuadra mitrovicase synon fitoren ndaj Prishtinës, me të cilën vazhdimisht luan ndeshje të forta. Prishtina udhëton po ashtu me optimizëm për në Mitrovicë.
Të enjten është edhe ndeshja Vëllaznimi – Vushtrria (18:00), derisa ndeshja Deçani – Rahoveci është shtyrë.