Besa Famgas është kthyer në pjesën e dytë për ta fituar derbin e madh me Trepçën. Të enjten mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë, Besa fitoi me rezultat 36:33. Pas pjesës së parë rezultati ishte 14:13 në të mirë të skuadrës mitrovicase.
Ndeshja i ka takuar xhiros së pestë të Superligës së Kosovës në hendboll. Kjo ndeshje ishte shtyrë për shkak që dy skuadrat kishin obligime ndërkombëtare.
Në pjesën e parë më shumë nga loja kishin mysafirët që në të shumtën e kohës ishin në epërsi prej një e dy goli. Ndërkohë në pjesën e dytë Besa Famgas ishte thuajse vazhdimisht para dhe në fund siguroi fitoren dhe dy pikë të vlefshme.
Igor Chiesliov udhëhoqi Besa Famgasin, duke shënuar plot 11 gola. Shtatë gola i shënoi Ajdin Smajlbegoviq, ndërsa pesë i kishte Jon Vokshi.
Te Trepça u shqua Deniz Terziqi me dhjetë gola. Yassine Henahem i kishte pesë, ndërsa nga katër i kishin Hamdi Salihu e Lulzim Shabani. Dy lojtarë të shtatëshes së parë të Trepçës, kapiteni Sali Maxhera dhe braziliani Marley Wallace kanë pësuar lëndime në këtë ndeshje. Wallace nuk ka luajtur fare në pjesën e dytë, ndërsa Maxhera u lëndua në minutat e parë të pjesës së dytë dhe më nuk vazhdoi.
Për kampionen në fuqi, Besa Famgas, kjo është fitorja e shtatë. Ka edhe një humbje dhe me 12 pikë nga shtatë ndeshje renditet e treta. Trepça ka pësuar humbjen e dytë. Ka edhe gjashtë fitore në tetë ndeshje të luajtura. Trepça është e dyta me 12 pikë.