Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Besa Famgas humb nga Borci në Banjallukë, pas një jave e synon përmbysjen e rezultatit në Pejë

Kampionia e Kosovës në hendboll, Besa Famgas ka zhvilluar ndeshje të madhe ndaj Borcit në Banjallukë të Bosnjë-Hercegovinës, të dielën mbrëma. Ndeshja u fitua 28:25 nga Borci vendas, por megjithatë paraqitja e pejanëve u vlerësua. Ishte ndeshja e parë e raundit të dytë të Kupës Evropiane për hendbollistë.

Gjatë gjithë kohës tifozët e skuadrës vendase kanë fyer shqiptarët, duke bërë madje edhe thirrje për vrasjen e tyre. Por lojtarët e Besës kanë ruajtur qetësinë, janë shfaqur profesional dhe kanë luftuar deri në fund. Ndeshja ishte shumë e barabartë, ndërsa në aksionet e fundit Borci është shkëputur në tri gola.

Ndeshja e kthimit zhvillohet pas një jave në Pejë, ndërsa Besa Famgas e synon përmbysjen e rezultatit dhe avancimin në raundin e tretë të Kupës Evropiane. Paraqitja në Banjallukë jep shumë shpresë për rezultat pozitiv në “Karagaçi”.

Të gjithë lojtarët që u aktivizuan kanë dhënë më të mirën, ndërsa janë shquar reprezentuesit e Kosovës. Më efikasi ishte Nikola Prce me 7 gola. 6 gola i shënoi Egzon Gjuka, ndërsa 5 i kishte Deniz Terziqi. Nga 3 gola i shtuan Kastriot Jupa e Arbios Mushkolaj. Me pritje në portë është shquar Mursel Mehmeti.