Derbi i stinorit vjeshtor në Superligën e Kosovës në hendboll i ka takuar kampionit aktual, Besa Famgas. Të shtunën mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë, Besa fitoi ndaj Kastriotit të Ferizajt me rezultat 21:19. Edhe pas pjesës së parë epërsia ishte dy gola në të mirë të ekipit pejan (12:10), epërsi që e mbajtën deri në fund të takimit.
Tani Besa kryeson e vetme me 14 pikë nga shtatë ndeshje. Kastrioti mbetet i dyti me 12 pikë.
Besa e Kastrioti ishin skuadrat e vetme që i kishin fituar të gjitha gjashtë ndeshjet e para dhe derbi i së shtunës vendosi se kush do të shkëputet në krye.
Besa në pjesën e parë kishte epërsi deri në gjashtë gola (10:4), por ferizajasit nuk u ndalën dhe afruan rezultatin deri në 11:10, por vendasit shënuan edhe njëherë për rezultatin 12:10 pas pjesës së parë. Në minutën e 43-të rezultati u barazua në 15:15, por më pas lojtarët e Arben Muqollit krijuan epërsi prej dy-tri gola që e mbajtën deri në fund.
Ante Kukrika e Drenit Tahirukaj shënuan nga gjashtë gola për Besën, ndërsa nga katër herë realizuan Drilon Tahirukaj e Bujar Ramosaj. Bindshëm më efikasi në ndeshjen derbi ishte Deniz Terziqi i Kastriotit me 10 gola.
Në ndeshjen tjetër të së shtunës Zhegra fitoi ndaj Samadrexhës me rezultat 37:32. Për zhegrasit ishte fitorja e parë.
Besa Famgas – Kastrioti 21:19 (12:10)
Besa Famgas: Mehmeti, B. Idrizi, Vokshi, Broqi, Jupa, Y. Muqolli, D. Idrizi, Dre. Tahirukaj 6, Dri. Tahirukaj 4, Ramosaj 4, Kukrika 6, Berisha, Tafilaj, J. Muqolli 1.
Kastrioti: Kolev, Syla 1, B. Syla, Salihu 1, A. Dugolli, Prekazi 2, Terziqi 10, Shabani, Haxhimusa 3, Ramadani 1, Dugolli, Rudari, Mustafa, Esati, Rajatoski 1.
Zhegra – Samadrexha 37:32 (17:14)
Zhegra: Kurexhaj, A. Isufi 4, F. Isufi 3, Haziri 10, Agushi 1, L. Haziri, Aliu 9, Murseli 5, Murseli 5
Samadrexha: Bunjaku, B. Maloku 4, F. Maloku 3, K. Maloku 7, Sh. Maloku, A. Maloku 11, S. Maloku 2, M. Jashari 4, Safjani 1, Basholli 1.