Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Besa fiton Kupën, vazhdon dominimin

Besa FamGas e ka fituar trofeun e parë për edicionin 2017\18. Të dielen mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë, Besa e ka mposhtur Prishtinën me rezultat 31:29 në finale të Kupës së Republikës së Kosovës në hendboll. 18:16 ishte rezultati pas pjesës së parë ndërsa hendbollistët e klubit pejan epërsinë prej dy golave e mbajtën edhe në fund të ndeshjes.

Kështu skuadra e Arben Muqollit e ka vazhduar dominimin në hendbollin kosovar, dominim që po vazhdon për shumë vite.

Egzon Gjuka me 12 gola ishte më efikasi te Besa që luajti në palestrën e saj. Dhjetë gola i shënoi Kastriot Jupa, ndërsa katër Drilon Tahirukaj. Te Prishtina më efikasi ishte Petrit Prekazi me nëntë gola. Nga shtatë gola i shënuan Beni Syla e Deniz Terziqi.

Ishte kjo përballja e pestë e Besës e Prishtinës në këtë edicion. Katër përballje dy skuadrat i kanë në kuadër të kampionatit. Bilanci në kampionat është 3:1 në të mirë të Besës. Ishte ajo humbja e vetme e Besës, ndërsa Prishtina këtë edicion ka pësuar humbje vetëm nga ekipi pejan. Në plejof Besa do të startojë nga pozita e parë ndërsa Prishtina nga pozita e dytë.

Në gjysmëfinalet e luajtura të premten, Besa fitoi ndaj Kastriotit ndërsa Prishtina ndaj Trepçës.

Besa FamGas – Prishtina 31:29 (18:16)

Besa FamGas: Curri, Idrizi, Biljaka, Broqi, Gjuka 12, Jupa 10, Tetova, Megjiq 1, Beqiraj, Dre. Tahirukaj, Dri. Tahirukaj 4, Ramosaj, Kukrika 2, Berisha, Tafilaj, J. Muqolli 2
Prishtina: Berisha, Ademi 1, Krasniqi 1, Bajqinovci, Fetahu 1, Gjuka 2, Murtezi, Stoilov, Zherka, Prekazi 9, Shahini, Kastrati, Syla 7, Visoka, Kosteski 1, Terziqi 7.