Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Besa vazhdon me fitore, Vëllaznimi fiton derbin

Besa Famgas ka vazhduar me fitore në Superligën e Kosovës në hendboll. Të shtunën mbrëma në Pejë, Besa e mposhti Trepçën me rezultat 33:27. Arbios Mushkolaj me 9 gola dhe Denis Shabanoviq me 7 ishin më efikasët te skuadra kampione, që nuk di për humbje këtë edicion. Te Trepça, Kushtrim Kastrati e Yasinne Benjouida i realizuan nga shtatë gola.
Derbi i xhiros së dhjetë u zhvillua në Gjakovë. Vëllaznimi fitoi me një gol dallim ndaj Deçanit. Rezultati në fund ishte 32:31 për skuadrën gjakovare.
Gjakovarët dominuan në pjesën e parë dhe krijuan epërsi deri në shtatë gola. Por deçanasit luftuan në pjesën e dytë dhe u afruan në një gol, pa ia dalë të barazojnë rezultatin. Florian Rexha i shënoi 10 gola për Vëllaznimin, kurse 7 i kishte Arbër Neziri. Alex Fabricio Santos i shënoi 10 gola për Deçanin.
Rahoveci ishte bindës ndaj Llapit në Podujevë. 46:26 fituan “vreshtarët”.
Të dielën është derbi tjetër i xhiros mes Vushtrrisë dhe Kastriotit.