Kampionia aktuale, Besa Famgas, e ka fituar ndeshjen e parë gjysmëfinale të plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll.
Të enjten mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë, Besa e mposhti Kastriotin me rezultat 30:27. Ndeshja e dytë zhvillohet në fundjavë në Ferizaj, ndërsa skuadra me dy fitore kalon në finale.
Ashtu si pritej, ndeshja ishte shumë e fortë dhe betejë e vërtetë sportive nga fillimi e deri në fund. Kishte duele të shumta, ndërsa në fund festuan pejanët.
Vendasit nisën më mirë dhe ishin në epërsi deri në minutën e 24-t, kur rezultati u barazua në 11:11. Por sërish Besa u shkëput dhe pas pjesës së parë kishte epërsi prej tri golash, 16:13. Kastrioti ia doli të barazojë edhe në pjesën e dytë, por më pas Besa Famgas u shkëput deri në pesë gola, 27:22. Dhe epërsinë e mbajti deri në fund.
Igor Chiesliov i shënoi nëntë gola nga 14 tentime për Besën. Gjashtë gola nga tetë tentime i kishte Marin Mariq, ndërsa nga katër gola i kishin Nikolla Prce (4/5), Arbios Mushkolaj (4/11) dhe Jon Vokshi (4/6). 11 pritje i kishte Mursel Mehmetit.
Kastriotit nuk i kryen punë 13 pritjet e Liridon Esatit dhe përjashtimi i hershëm me të kuq i Antonio Vozilas.
Gjashtë gola nga tetë tentime i kishte Lulzim Shababani. Me pesë gola nga shtatë tentime ndeshjen e përfundoi Vlerson Zherka, ndërsa katër gola nga pesë gjuajtje i kishte Alecssander Santos. Katër gola nga nëntë tentimi i shtoi Deniz Terziqi.