Selektori i Kosovës, Bujar Qerimi e ka vlerësuar të vështirë grupin në fazën e parë kualifikuese evropiane për Botërorin e vitit 2023 në hendboll. Shorti i tërhequr të enjten ka përcaktuar që Kosova të jetë në grupin A së bashku me Belgjikën, Turqinë e Greqinë.
Sipas selektorit Qerimi grupi i Kosovës është më i fortë se tri grupet tjera, por ai ka thënë se nuk duhet të ketë justifikime dhe se synim mbetet avancimi në fazën tjetër kualifikuese.
“Është grupi më i vështirë i mundshëm. Grupi jonë është më i fortë se grupet tjera. Por nuk ka arsyetime. Duhet të përgatitemi për të pasur sukses në këto kualifikime. Nëse vendoset që ndeshjet të luhen në një vend, atëherë do të luhen te ne dhe kjo është përparësi. Por në të njëjtën kohë lojtarët mund të jenë në presion më të madh”, ka thënë Bujar Qerimi.
Ai jeton në Belgjikë dhe e njeh shumë mirë këtë Kombëtare. Sipas Qerimit, Belgjika ka ekip të kompletuar dhe do të jetë rival i vështirë. Selektori Qerimi ka thënë se edhe Greqia ka luajtur ndeshje të mira së fundi, ndërsa e vlerëson edhe Turqinë.
“Nëse vendoset për turne, atëherë tri ndeshje luhen brenda tri ditëve. Aspekti fizik do të ketë rëndësi, sidomos faza e rikuperimit mes ndeshjeve. Grupi është i balancuar, ndërsa pëprarësi e rivalëve mund të jetë përvoja më e gjatë në kualifikime. Sa i takon Belgjikës, ka një portier shumë të mirë dhe 4-5 lojtarë në Francë, në kategorinë e parë dhe të dytë. Belgjika ka ekip të kompletuar. Gjithsesi synimi ynë mbetet njëra prej dy vendeve të para. Tani mbetet të shohim nëse do të vendoset për turne apo për vajtje-ardhje. Nëse vendoset për vajtje-ardhje, ndeshjet e para i kemi që në nëntor dhe duhet të përgatitemi maksimalisht. Lojtarët jam duke i përcjellur, ndërsa lista do të jetë e gjerë me më shumë emra të përfshirë”, ka theksuar Bujar Qerimi.