Trajneri spanjoll, Javier Cabanas, ka udhëhequr Besa Famgasin drejt një edicioni shumë të suksesshëm. Besa e Pejës i ka fituar të gjitha ndeshjet dhe fitoi dy trofetë, atë të kampionit dhe Kupën e Kosovës.
“Këta dy trofe janë shpërblim për punën 10 muajshe. Kishim tre objektiva. Në Evropë jemi eliminuar nga Borci në raundin e dytë për vetëm një gol. Kemi mundur të fitojmë dhe të luajmë një raund më shumë, por nuk ia dolëm. Kishim objektiv të fitojmë dy garat vendore dhe e arritëm. Jemi fitues të vërtetë. Kemi fituar të gjitha ndeshjet. Në gjithë edicionin, duke përfshirë edhe garat evropiane, kemi humbur një takim të vetëm. Për këtë mendoj se kemi kompletuar një edicion shumë të mirë. Për Besa Famgas ishte edicion i mirë”, ka thënë Javier Cabanas, legjendë e hendbollit spanjoll.