Deçani – Vëllaznimi dhe Rahoveci – Kastrioti janë kryendeshjet e javës së 13-të të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.
Ndeshja në Deçan luhet të shtunën nga ora 19:00, ndërsa ajo në Rahovec të dielën nga ora 18:00.
Këto katër skuadra janë në garë për të zënë vend në Superligën A. Aktualisht Rahoveci është i katërti me 14 pikë. Kastrioti në vendin e pestë i ka 12 pikë, ndërsa Vëllaznimi është i gjashti me 10 pikë. Pak më mbrapa ka mbetur Deçani, që renditet i teti me 6 pikë.
Xhiroja e 13-të hapet të premten me ndeshjen Besa Famgas – Llapi. Ky takim nis në ora 18:30. Besa është favorite e madhe dhe nuk pritet të ketë telashe për të fituar dy pikë të reja. Favorite është edhe Prishtina ndaj Zhegrës, njëjtë si Trepça ndaj Drenicës. Ndeshja në Prishtinë është të shtunën nga ora 14:30, kurse ajo në Mitrovicë të shtunën nga ora 18:00.
Xhiroja e 14-të, e fundit për këtë vit, luhet të martën. Të mërkurën grumbullohet Kombëtarja për ndeshjet miqësore me Kuvajtin.