Deçani mposhtë Trepçën në Mitrovicë, kalon në gjysmëfinale të Kupës

Deçani ka arritur sukses të madh të mërkurën mbrëma. Skuadra deçanase është kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në hendboll. Madje gjysmëfinalen e ka arritur duke bërë befasi të madhe. Deçani, që garon në Superligën B, e ka mposhtur Trepçën në Mitrovicë me rezultat 28:25.
Për deçanasit ishte fitorja e dytë rresht ndaj “xehetearëve”.

Ndeshja çerekfinale ishte cilësore dhe dramatike deri në fund. Por fundin më të suksesshëm e patën mysafirët që arritën fitore të madhe.

Në pjesën e parë në epërsi kryesisht ishin vendasit. Epërsia e Trepçës shkoi deri në katër gola, ndërsa pas 30 minutave lojë rezultati ishte 13:12. Ndeshje e barabartë u zhvillua edhe në pjesën e dytë, ndërsa në minutat e fundit Deçani ishte në epërsi dhe e mbajti atë deri në fund, ndonëse në një moment mbeti me katër lojtarë në fushë. Trepçës i kushtuan edhe pesë penalltitë e humbura.

Arbios Mushkolaj me 12 gola udhëhoqi Deçanin. Kontribut dhanë të gjithë lojtarët, që u angazhuan maksimalisht deri në fund. Është shquar edhe portieri Flakrim Beqiraj.
Muhamet Dubovci ishte më efikasi te Trepça me 7 gola.

Lajme tjera