Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Derbi dramatik mes Prishtinës e Trepçës nuk jep fitues

Ashtu si pritej, ndeshja e parë e stinorit pranveror në Superligën e Kosovës në hendboll (meshkujt) ishte dramatike. Të shtunën mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në kryeqytet u takuan Prishtina e Trepça, dy skuadrat e kreut të tabelës. Ndeshja derbi e xhiros së 15-të nuk ka dhënë fitues. Ka përfunduar me rezultatin 34:34.

Trepça në fund të ndeshjes ka realizuar penallti për të fituar një pikë në kryeqytet. Muhamed Dubovci realizoi penalltinë e fundit. Ai ishte më efikasi te mitrovicasit me 9 gola. Shtatë gola i realizoi pivoti Sali Maxhera. Gjashtë gola i shtoi Shpëtim Mehmeti.
Te Prishtina më efikasi ishte Oltion Beshiri me 8 gola. Festim Mustafa e aloja Lulzim Shabani shënuan nga gjashtë herë.

Fillimi i ndeshjes i takoi mysafirëve që ishin në epërsi të lehtë deri në minutën e 11-të. Më pas më shumë nga loja kishte Prishtina, që e mbajti epërsinë deri në fund të pjesës së parë. Pas 30 minutave lojë rezultati ishte 17:14 për Prishtinën.

Njëjtë vazhdoi edhe pjesa e dytë, me prishtinasit në avantazh. Në minutën e 47-të rezultati ishte 27:22. Por “xehetarët” nuk u dorëzuan. Në minutën e 54-t rezultati u baraazua në 28:28. Prapë Prishtina krijoi epërsi prej një e dy gola, ndërsa rezultati pak paraa fundit u barazua në 33:33. Agon Bajqinovci shënoi për 34:33, para se shifrat të barazohen fare në fund në 34:34.

Me barazim, Trepça e ruan pozitën e dytë në tabelë. I ka 25 pikë, sa edhe Prishtina në pozitën e tretë.