Në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë do të luhet kryendeshja e javës në Superligën e Kosovës në hendboll (femrat). Të shtunën (nesër) prej orës 18:30 takohen Istogu e Vushtrria, në derbin e javës së tretë. Istogu ka vendosur të organizojë ndeshjen në Gjakovë, pasi fatkeqësisht palestra në Istog ende nuk është përfunduar së ndërtuari. Istogu është prej klubeve më të mira në vend, por duhet të përballet me mungesë të palestrës në qytet. Pritjes së gjatë që Istogu të luajë para tifozëve të vet shpresohet se do t’i vie fundi së shpejti.
Edicionin e kaluar Vushtrria e Istogu ishin prej skuadrave kryesore në Superligën e femrave. Vushtrria mbeti pa titull vetëm në ndeshjen e fundit, ndërsa Istogu e fitoi Kupën e Kosvës. Edhe në stinorin 2018\19, Istogu e Vushtrria pritet të luftojnë për trofe. Dy skuadrat kanë nisur suksesshëm duke i fituar dy ndeshjet e para, njëjtë si Shqiponja e Prishtina.
Të shtunën luhet edhe ndeshja mes Vjosës e Shqiponjës, që fillon në ora 12:30. Ndërsa të dielen janë tri takime tjera të javës së tretë. Nga ora 14:00 takohen Vëllaznimi e Drita, ndërsa ora 13:30 është takimi Jusuf Gërvalla – Kastrioti. Xhiroja përmbyllet me takimin Samadrexha – Prishtina, që fillon në ora 17:00.
Këtë fundjavë nisin garat edhe në Ligën e Parë të Femrave. Të shtunën prej orës 13:00 është ndeshja Dukagjini – KEK-u. Të dielen janë takimet Trepça – CLICK (12:00) dhe Verona – Prizreni (15:00). Në mesjavë luhet ndeshja Llapusha – Ferizaji, kurse ndeshje tjetër e kësaj jave është ajo në mes të Deçanit dhe Ulpianës.