Një derbi dramatik është luajtur të shtunën mbrëma në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Në praninë e rreth 200 shikuesve dhe në atmosferë tipike për derbi, Prishtina e ka mposhtur Trepçën vendase me rezultat 24:23. Për mitrovicasit ishte humbja e parë këtë edicion, pas pesë fitoreve rresht. Ndërkohë Prishtina ka shënuar fitoren e pestë dhe tani i ka 10 pikë. Trepça e Prishtina ndajnë pozitën e parë, ndërkohë që Besa Famgas është e treta me 8 pikë, por ka dy ndeshje më pak të luajtura.
Ndeshja ishte e fortë, me shumë duele të fuqishme, kurse sjelljet e lojtarëve ishin korrekte. Pjesa e parë ishte e barabartë, ndërsa epërsia minimale ishte herë në njërën anë e herë në anën tjetër. Pas 30 minutave lojë rezultati ishte 11:10 për Prishtinën. Në fillim të pjesës së dytë Prishtina u shkëput në tri gola, 13:10, 14:11 e 15:12. Epërsinë prej tri golash prishtinasit e mbajtën deri në minutën e 50-të. Në minutën e 52-të, rezultatin në 20:20 e barazoi Kushtrim Kastrati. Sërish Prishtina krijoi epërsi prej dy gola, 22:20, por vendasit barazuan në 22:22, ndërsa me golin e portierit Meriton Lladrovci kaluan në epërsi 23:22. Ishte minuta e 57-të. Më pas Lladrovci humbi një gjuajtje nga porta në portë dhe Prishtina barazoi në 23:23. Portieri Flakrim Beqiraj priti një penallti të Kastratit, ndërsa Vlerson Zherka shënoi në minutën e fundit për 24:23 në të mirë të Prishtinës. Në fund Trepçës i mbeti pak kohë dhe nuk arriti të realizoi sulm.
Kapiteni Oltion Beshiri dhe Vlerson Zherka udhëhoqën Prishtinën me nga 7 gola. 3 gola i shënoi Lulzim Shabani, ndërsa nga dy i kishin Beni Syla, Rron Ramadani e Albi Gjuka. Por formë të lartë ka shfaqur portieri Flakrim Beqiraj, që ndali shumë gjuajtje gjatë tërë ndeshjes, duke përfshirë edhe disa penallti.
Te Trepça më efikasi ishte Kushtrim Kastrati me 7 gola. 4 i kishte Egzon Ademi, ndërsa nga 3 i realizuan Sali Maxhera, Shpëtim Mehmeti e Fitim Klinaku. Edhe portieri i Trepçësm, Meriton Lladrovci ka vazhduar me formë të lartë, duke bërë shumë pritje.
Ndeshja ka arsyetuar epitetin e derbit, ndërsa ishte dramatike deri në fund.
Të shtunën u luajtën edhe tri ndeshje tjera të javës së gjashtë. Vëllaznimi ka fituar ndaj Llapit në Podujevë me rezultat 34:28. Deçani ka shënuar fitoren e parë në Superligë, duke e mposhtur Zhegrën me rezultat 29:23. Pos Prishtinës, Vëllaznimit dhe Deçanit, fitore në udhëtim shënoi edhe Rahoveci. Rahovecasit e mposhtën Drenicën në Drenas me rezultat 30:21.