Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Derbi të shtunën, derbi të dielën

Në fundjavë luhen vetëm dy ndeshje të xhiros së gjashtë në Superligën e Kosovës në hendboll (meshkujt). Për shkak të angazhimeve evropiane të Besa Famgasit dhe Rahovecit, dy ndeshje tjera luhen më vonë.
Por që të dy ndeshjet e fundjavës pritet të jenë interesante dhe të forta.

Derbi mes Trepçës dhe Prishtinës zhvillohet të shtunën nga ora 19:00 në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Skuadra vendase synon fitore, ndërsa llogarit edhe në përkrahjen e shikuesve nga tribunat. Trepça vjen pas fitores në derbin e fortë me Rahovecin.
I ka tetë pikë në pozitën e dytë. Ka pësuar humbje nga Besa Famgas, njëjtë si Prishtina.
Prishtina ka një ndeshje më pak të luajtur dhe renditet e treta me gjashtë pikë. Prishtina luan mirë në “Minatori” dhe synon të kthehet me fitore. Kështu që me të drejtë pritet ndeshje e fortë, spektakël hendbolli.

Të dielën është ndeshja në mes të Vëllaznimit dhe Vushtrrisë, që fillon në ora 18:00. Janë dy skuadra tjera me synime dhe forma e të cilave sa shkon e ngritet. Kështu që në Gjakovë do të jetë ndeshje e fortë dhe interesante deri në fund.

Në Ligën e Parë të gjitha ndeshjet e javës së pestë janë të shtunën: Lepenci – Istogu (16:00), Dukagjini – Vjosa (17:30), Drita – Ulpiana (19:30), Prizreni – Samadrexha (17:00).